Mes pankartave, thirrjeve dhe akuzave ndaj qeverisë, protesta e zhvilluar para Kryeministrisë është shoqëruar edhe me mesazhe ironike ndaj figurave kryesore të politikës shqiptare.
Një nga momentet që tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve ishte një imazh i modifikuar i kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, ku dy liderët politikë paraqiteshin duke u puthur, i shoqëruar me mbishkrimin: “Deri sa vdekja t’i ndajë”.
Përmes kësaj pankarte, protestuesit synuan të ironizonin atë që e konsiderojnë bashkëpërgjegjësi të klasës politike për situatën në vend, duke drejtuar kritika si ndaj mazhorancës, ashtu edhe ndaj opozitës.
Pesë kërkesat e protestuesve
Gjatë tubimit, qytetarët bënë publike edhe pesë kërkesat kryesore që, sipas tyre, lidhen me mbrojtjen e interesit publik dhe pasurive kombëtare:
- Dorëheqjen e të gjithë qeverisë;
- Shfuqizimin e statusit të investimeve strategjike;
- Shfuqizimin e të ashtuquajturës “Paketa e Maleve”;
- Anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
- Anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Protestuesit deklaruan se kundërshtimi i tyre nuk lidhet vetëm me projektin e resortit në Zvërnec, por edhe me një sërë politikash që, sipas tyre, prekin territorin, mjedisin dhe pasuritë publike të vendit.
Tubimi u zhvillua para godinës së Kryeministrisë nën masa sigurie, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e reagimeve qytetare edhe në ditët në vijim.















