Shqipëria po importon gjithnjë e më shumë produkte ushqimore, përfshirë edhe mallra që mund të prodhohen lehtësisht në vend. Të dhënat e fundit tregojnë një rritje të ndjeshme të importeve të ushqimeve gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, duke ngritur shqetësime për gjendjen e bujqësisë dhe prodhimit vendas.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, sasia e importeve të ushqimeve në periudhën janar-prill 2026 u rrit me 16.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja prek veçanërisht produktet bazë të shportës. Importi i zarzavateve u zgjerua me 14%, ndërsa frutat dhe arrat e ngrënshme shënuan një rritje prej 11%. Në të njëjtën linjë u rritën edhe importet e produkteve të bulmetit, vezëve dhe mjaltit me 10%.
Ekspertët e sektorit e konsiderojnë këtë një sinjal shqetësues, pasi në vend që kërkesa e shtuar nga turizmi të nxisë prodhimin vendas, tregu po mbështetet gjithnjë e më shumë tek produktet e importuara.
Rritja më e fortë është regjistruar tek farat vajore dhe bimët industriale apo medicinale, ku importet janë rritur me 140.3%. Ndërkohë edhe drithërat kanë shënuar një zgjerim të ndjeshëm të importeve me 30.3%.
Sipas importuesit të drithërave Adi Haxhiymeri, blerjet nga jashtë janë shtuar edhe për shkak të pasigurive në tregjet ndërkombëtare pas tensioneve dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, duke nxitur kompanitë të sigurojnë rezerva.
Nga ana tjetër, disa kategori kanë shënuar ulje të importeve. Peshku dhe kafshët guackore ranë me 13.9%, ndërsa importet e sheqernave dhe ëmbëlsirave u tkurrën me 7.8%. Një rënie e lehtë prej 1.7% u regjistrua edhe tek kafeja, çaji dhe erëzat.
Rritja e importeve të frutave dhe perimeve shihet si tregues i vështirësive që po kalojnë fermerët shqiptarë. Konkurrenca nga produktet e huaja, të mbështetura shpesh nga subvencione më të larta në vendet e origjinës, po e bën më të vështirë konkurrimin e prodhuesve vendas.
Fermerët përballen gjithashtu me kosto të larta për karburantin, plehrat kimike, fidanët dhe inputet e tjera bujqësore, duke rritur çmimin e prodhimit vendas krahasuar me produktet e importuara.
Një tjetër faktor që po rëndon sektorin është mungesa e fuqisë punëtore. Emigrimi i të rinjve dhe zbrazja e zonave rurale kanë krijuar vështirësi për gjetjen e punëtorëve në bujqësi, duke rritur kostot dhe duke ulur sipërfaqet e kultivuara.
Ndikim të drejtpërdrejtë ka pasur edhe forcimi i lekut kundrejt euros gjatë viteve të fundit, i cili i ka bërë mallrat e importuara më të lira për konsumatorët shqiptarë, ndërsa ka vështirësuar konkurrencën për prodhuesit vendas dhe eksportuesit.















