Dy kompanive private të sigurisë që operonin në zonën e Portonovës në Zvërnec u janë hequr licencat nga Policia e Shtetit, pas hetimeve administrative për ngjarjet e dhunshme të regjistruara gjatë protestës së banorëve më 30 maj 2026.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi se subjektet “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security” janë konstatuar me shkelje të rënda ligjore gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre në objektin ku po zhvillohet projekti i debatueshëm në Portonovë.
Sipas hetimit administrativ, kompania “Myrto Security 1.3A” nuk kishte zbatuar procedurat bazë të kontrollit dhe sigurisë, duke mos administruar listat e personave dhe mjeteve që hynin në objekt. Për pasojë, në zonën e rrethuar kanë hyrë persona të paidentifikuar, të cilët më pas janë përfshirë në akte dhune ndaj protestuesve.
Policia thekson se këta individë kanë goditur dhe tërhequr me forcë një pjesëmarrës në protestë, duke i shkaktuar dëmtime fizike. Po ashtu, nga brenda rrethimit janë hedhur gurë dhe sende të tjera në drejtim të protestuesve, ndërsa punonjësit e kompanisë së sigurisë nuk kanë ndërhyrë për t’i ndaluar.
Shkelje janë konstatuar edhe te kompania “Major Security”. Sipas Policisë, një punonjës i licencuar i kësaj kompanie, së bashku me dy persona të tjerë që nuk rezultonin të regjistruar apo licencuar nga subjekti, kanë ushtruar dhunë ndaj një protestuesi, duke e goditur dhe futur me forcë brenda rrethimit të pronës.
Në përfundim të procedurës administrative, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vendosi heqjen e licencave për të dy kompanitë, duke i nxjerrë jashtë aktivitetit të sigurisë private.
Megjithatë, vendimi ngre edhe pikëpyetje të reja. Për ditë me radhë, kompania investitore është përpjekur të paraqesë dhunën si përgjegjësi ekskluzive të rojeve private, ndërsa reagimi i Policisë konfirmon se në zonë kanë vepruar edhe persona të paautorizuar që nuk rezultonin pjesë e strukturave të licencuara të sigurisë.
Ndërsa licencat u hoqën, hetimet penale dhe administrative vazhdojnë për të përcaktuar të gjitha përgjegjësitë mbi ngjarjet që tensionuan protestën e banorëve të Zvërnecit kundër projektit në Portonovë.















