Një zjarr është shfaqur pasditen e kësaj të premteje pranë zonës së Ranës së Hedhun në Shëngjin, në një sipërfaqe me pisha dhe bimësi të dendur.
Flakët janë favorizuar nga terreni dhe era, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e menjëhershme të forcave zjarrfikëse. Përveç mjeteve dhe efektivëve nga Lezha, në operacion janë angazhuar edhe zjarrfikës nga Tirana dhe Vau i Dejës.
Pas disa orësh pune, situata është vënë nën kontroll dhe po shkon drejt shuarjes së plotë. Sipas autoriteteve lokale, zjarri nuk ka rrezikuar strukturat akomoduese dhe bizneset turistike që ndodhen pranë zonës.
Nënkryetari i Bashkisë, Fatjon Zefi, deklaroi se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit po hetohen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa theksoi se prioritet mbetet izolimi i plotë i vatrës dhe rikontrolli i territorit për të parandaluar rindezjen, për shkak të pranisë së erës.
Zona e Ranës së Hedhun është përfshirë disa herë nga zjarret gjatë viteve të fundit, duke bërë që monitorimi i vazhdueshëm dhe reagimi i shpejtë të konsiderohen elementë kyç për mbrojtjen e pyllit dhe sigurinë e zonës turistike.















