Seanca e sotme parlamentare u dominua nga një përplasje e ashpër verbale mes kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe homologut të tij socialist, Taulant Balla, me akuza të drejtpërdrejta për ndërhyrje në drejtësi dhe lidhje me persona të përfshirë në dosje të krimit të organizuar.
Bardhi deklaroi nga foltorja e Kuvendit se Balla nuk mund të japë “leksione kushtetuese”, ndërsa sipas tij është përgjuar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për ndërhyrje pranë një prokurori dhe drejtuesit të Policisë me qëllim lirimin e pronave të sekuestruara të babait të Suel Çela në Elbasan.
“Ka ndërhyrë te prokurori dhe drejtori i policisë për të liruar pronat e sekuestruara të babait të Suel Çelës, kapos së bandës së Elbasanit. Është në përgjimet e SPAK si njeri që ndërhyn te prokurori dhe merr përsipër të ndërhyjë te drejtori i policisë. Dosjen që e mban të fshehur apo të fjetur duhet ta çojë përpara, sepse shqiptarët duhet të dinë kush vjen në këtë foltore dhe bën teatër me ndarjen e pushteteve”, deklaroi Bardhi.
Sipas tij, çështja nuk është thjesht politike, por prek drejtpërdrejt integritetin e sistemit të drejtësisë dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
Pas Bardhit, fjalën e mori Balla, i cili i cilësoi akuzat si shpifje dhe rikujtoi se vetë Bardhi ka akuzuar më herët sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, për lidhje me të njëjtët persona.
“Zotëria që foli prapë nuk e ka turp gënjeshtrën dhe shpifjen. Për të njëjtët njerëz nuk ka rezistuar dot që të akuzojë sekretarin e përgjithshëm të partisë së tij. Ti bërtet sepse ke vendshkarkim. Je i vetmi kryetar grupi në histori që ka kallëzuar penalisht një nënkryetar të vetin. Të di shumë gjëra, por po t’i kursej sot”, tha Balla nga foltorja.
Ai theksoi se si dy drejtues grupesh parlamentare, diferenca sipas tij qëndron në mënyrën se si drejtohet grupi dhe në përgjegjshmërinë politike.
Përplasja e sotme rihap tensionet politike rreth hetimeve të SPAK dhe çështjeve që lidhen me sekuestrimet e pasurive në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar. Akuzat për ndërhyrje në proceset hetimore janë ndër më të fortat që mund të artikulohen në sallën e Kuvendit, pasi prekin drejtpërdrejt pavarësinë e organeve të drejtësisë.
Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga SPAK lidhur me pretendimet e ngritura në seancë. Ndërkohë, klima politike në Kuvend mbetet e tensionuar, me akuza reciproke që po thellojnë hendekun mes mazhorancës dhe opozitës.















