Bordi i Transparencës ka publikuar këtë të enjte çmimet e reja të karburanteve në vend, të cilat do të hyjnë në fuqi nga ora 14:00 e datës 28 maj 2026.
Sipas vendimit të fundit, çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin të standardit SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 187 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë do të jetë 175 lekë për litër.
Ndërkohë, benzina do të tregtohet me jo më shumë se 174 lekë për litër në shitje me pakicë dhe 162 lekë për litër në shitje me shumicë.
Autoritetet bëjnë me dije se këto çmime do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut.
Në njoftim theksohet se çdo operator i tregtimit të karburanteve është i detyruar të zbatojë vendimin, ndërsa për subjektet që konstatohet se shkelin çmimet e përcaktuara do të vendoset pezullim i aktivitetit.
Gjithashtu, sqarohet se bazuar në Aktin Normativ nr.1, datë 3 prill 2026, akciza reduktohet në 80% vetëm në rastet kur çmimi i naftës kalon 220 lekë/litër ose benzina 200 lekë/litër. Duke qenë se çmimet aktuale janë nën këto kufij, akciza do të vijojë të aplikohet në nivelin e plotë 100%.















