Ish-drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, ka dalë nga ambientet e SPAK pas rreth katër orësh qëndrimi në Prokurorinë e Posaçme.
Karçanaj është parë duke dalë e shoqëruar nga avokatja e saj, ndërsa nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat lidhur me paraqitjen në SPAK.
Ajo është mes 8 të pandehurve në dosjen që lidhet me skandalin e tenderave të AKSHI-t. Sipas akuzave, të pandehurit dyshohet se kanë vepruar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, duke manipuluar procedurat tenderuese, favorizuar kompani të caktuara dhe ushtruar presion ndaj operatorëve ekonomikë konkurrues.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal, si edhe pastrim parash.
Çështja e tenderave të AKSHI-t konsiderohet një nga hetimet më të ndjeshme të nisura nga SPAK, për shkak të dyshimeve mbi abuzimet me fondet publike dhe procedurat e prokurimeve në sektorin e teknologjisë dhe shërbimeve shtetërore.















