Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Sarandës është zhvilluar këtë të hënë, ku janë firmosur dhjetëra urdhër-arreste ndaj punonjësve të Komisariatit të Policisë Sarandë, zyrtarëve vendorë dhe personave të lidhur me sektorin e ndërtimit dhe biznesit.
Sipas burimeve paraprake, hetimet lidhen me dyshime për shkelje të ndryshme penale që kanë të bëjnë me ndërtimet pa leje në zonat e Sarandës dhe Ksamilit.
Operacioni po zbatohet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë së Vlorës në bashkëpunim me Komisariatin e Sarandës dhe po shtrihet njëkohësisht në disa zona.
Deri tani raportohet se janë vënë në pranga disa persona, mes tyre efektivë policie dhe biznesmenë, ndërsa identitetet e tyre ende nuk janë bërë publike.
Aksioni po zhvillohet edhe në bashkëpunim me Agjencë e Mbikëqyrjes Policore, për shkak se mes personave ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurie ka edhe punonjës policie.
Burime paraprake bëjnë me dije se ndaj katër efektivëve të policisë janë vendosur masa sigurie, ndërsa tre prej tyre janë ndaluar deri në këto momente.















