Kreu i Sali Berisha ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po mashtron qytetarët lidhur me raportin e IBAR-it dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Në një videomesazh, Berisha deklaroi se opozita nuk ka shkruar “asnjë fjalë” në raportin e miratuar më 21 maj, por sipas tij, dokumenti pasqyron pothuajse të gjitha problematikat që opozita ka denoncuar prej kohësh.
Sipas kreut të demokratëve, pretendimi i Ramës se protestat e opozitës u organizuan për shkak të IBAR-it është “mashtrim dy metra i gjatë”.
“Protestat nisën që në dhjetor, kur Edi Rama mori në mbrojtje Belinda Ballukun për të mbrojtur veten e tij”, u shpreh Berisha.
Ai tha se përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të cilët vizituan Shqipërinë në kuadër të procesit të vlerësimit të IBAR-it, konstatuan problematika serioze në vend, duke përfshirë zgjedhjet, drejtësinë, funksionimin e parlamentit dhe ekonominë.
Berisha pretendoi se delegacioni europian është bindur se “zgjedhjet janë farsë”, se drejtësia ndodhet nën presion politik dhe se ekonomia funksionon mbi baza klienteliste.
Sipas tij, raporti ka ndryshuar mënyrën se si perceptohet realiteti shqiptar në Bruksel.
“Pas këtij raporti, realiteti shqiptar në Bruksel është krejt tjetër nga ai që mashtron Edi Rama”, deklaroi ai.
Në fund të reagimit, Berisha theksoi se opozita mbështet integrimin europian të vendit, por shtoi se Shqipëria aktualisht, sipas tij, nuk plotëson kriteret përveç atij gjeopolitik.
“Procesi duhet të jetë i bazuar në meritë, në interesin më të mirë të shqiptarëve dhe të Bashkimit Europian”, përfundoi Berisha.














