Sllovakia ka rikonfirmuar mbështetjen për anëtarësimin e plotë të Shqipëria në Bashkimi Europian, duke vlerësuar progresin e vendit tonë në procesin e negociatave.
Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Europiane të Sllovakisë, Rastislav Covanec, në një intervistë për Ora News, deklaroi se Shqipëria është ndër vendet që ka avancuar më shumë në procesin e integrimit europian.
“Ne besojmë në procesin e bazuar në meritë dhe Shqipëria po e bën këtë. Është ndër dy vendet e para që ka avancuar në këtë proces dhe do të donim ta shihnim të përfshirë sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh ai.
Diplomati sllovak theksoi se Bratislava ka qenë gjithmonë pro zgjerimit të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mbështet ritmin me të cilin Shqipëria po ecën drejt BE-së.
Sipas Covanec, Sllovakia është e gatshme të ndajë me institucionet shqiptare eksperiencën dhe ekspertizën e saj në procesin e integrimit, duke kujtuar se vendi i tij e ka kaluar këtë rrugëtim rreth 20 vite më parë.
Ai vlerësoi se përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimi Europian do të sillte më shumë stabilitet, siguri dhe zhvillim ekonomik për të gjithë rajonin.
“Përfshirja e Ballkanit Perëndimor në BE do të luajë një rol të madh në të ardhmen, si për sigurinë, ashtu edhe për ekonominë dhe biznesin”, deklaroi zyrtari sllovak.
Në fund, ai pati edhe një mesazh për qytetarët shqiptarë, duke theksuar se rruga drejt integrimit kërkon durim dhe përkushtim, pasi procesi është i gjatë dhe shpeshherë sfidues.















