Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka reaguar pas operacionit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Sarandë, ku u arrestuan dhe u pezulluan disa punonjës të Komisariatit të Policisë.

Në reagimin e tij, Lamallari theksoi se në radhët e Policisë së Shtetit nuk do të ketë asnjë hapësirë për efektivë që shkelin ligjin, abuzojnë me detyrën apo bashkëpunojnë me elementë kriminalë.

Reklame

“E përshëndes operacionin në Sarandë, ku AMP dhe Policia e Shtetit kanë bashkëpunuar për të goditur drejtues dhe punonjës policie të përfshirë në shkelje të ligjit,” deklaroi ai.

Ministri shtoi se aksione të tilla nuk janë të rastësishme, por pjesë e një procesi të vazhdueshëm pastrimi brenda policisë së shtetit.

“Çdo rast abuzimi, nga lejimi i ndërtimeve pa leje deri te bashkëpunimi me krimin, do të përballet me zero tolerancë. Efektivët që tradhtojnë detyrën do të identifikohen dhe do të dalin përpara drejtësisë,” u shpreh Lamallari.

Ai përgëzoi gjithashtu drejtuesit e rinj të AMP-së dhe Policisë së Shtetit, duke theksuar se lufta kundër abuzimeve brenda sistemit do të vijojë pa asnjë tërheqje.

Reklame