Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua këtë të enjte një nga seancat më të rëndësishme të procesit për dosjen “Partizani”, ku dëshmoi për rreth tre orë kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kallëzuesi i çështjes në SPAK që prej vitit 2020.

Ish-kryeministri Sali Berisha mungoi në seancë, ndërsa në sallë ishte i pranishëm dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, një prej të pandehurve në këtë proces për korrupsion dhe pastrim parash.

Reklame

Balla: E kallëzova si qytetar, jo me urdhër politik

Gjatë dëshmisë së tij, Balla deklaroi se kallëzimin penal e ka bërë si qytetar dhe jo me nxitje politike nga Partia Socialiste apo kryeministri Edi Rama.

Ai theksoi se si deputet nuk mund të heshtte përballë shkeljeve që sipas tij lidhen me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Sipas Ballës, Berisha, në cilësinë e kryeministrit të kohës, mundësoi privatizimin e truallit prej 26 mijë metrash katrorë brenda gjashtë muajsh dhe me një vlerë shumë të ulët.

Akuza për konflikt interesi

Deputeti socialist tha se përfitues final i procesit ishte Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e truallit, mbi të cilin më pas u ndërtuan 17 kulla.

“Berisha duhej të shmangte veten nga vendimmarrja për shkak të konfliktit të interesit. Malltezi ka përfituar përmes lidhjes familjare me kryeministrin e kohës”, u shpreh Balla në sallën e gjyqit.

Ai shtoi se sipas tij ky është një rast tipik korrupsioni të zyrtarëve të lartë.

Përballja me avokatin Gjokutaj

Pas dëshmisë, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, sulmoi procesin duke e quajtur “çështje të sajuar”.

Sipas tij, Balla nuk mbante mend një pjesë të deklarimeve dhe në shumë raste i referohej mediave.

“Kam dyshime të forta se kemi të bëjmë me kallëzim të rremë”, deklaroi Gjokutaj para mediave.

Malltezi: SPAK prokurori politike

Edhe Jamarbër Malltezi reagoi pas seancës, duke akuzuar SPAK-un si institucion politikisht të motivuar.

Ndërsa një tjetër i pandehur në proces, Xhimi Begeja, ironizoi dëshminë e Ballës duke thënë se “ngeli në klasë”.

7 dëshmitarë të tjerë shtyhen për seancën tjetër

Në këtë seancë SPAK kishte thirrur edhe shtatë dëshmitarë të tjerë, mes tyre ish-drejtues të klubit Partizani dhe ish-zyrtarë të Agjencisë së Kthimit të Pronave.

Megjithatë, pas përfundimit të dëshmisë së Ballës, seanca u mbyll dhe dëshmitarët e tjerë do të pyeten më 11 maj.

A do të dëshmojë Edi Rama?

Në seancën e kaluar, GJKKO pranoi kërkesën e mbrojtjes së Berishës dhe Malltezit për të thirrur si dëshmitar kryeministrin Edi Rama.

Ai pritet të pyetet në cilësinë e ish-kryebashkiakut të Tiranës, lidhur me ndryshimin e destinacionit të truallit nga terren sportiv në zonë ndërtimi.

Reklame