Policia e Tiranës ka njoftuar masa të veçanta për menaxhimin e trafikut në kryeqytet, në kuadër të protestës së thirrur nga Partia Demokratike, e cila pritet të zhvillohet më 8 maj 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 23:45 e datës 7 maj deri në përfundim të protestës, do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Po ashtu, nga ora 15:00 e datës 8 maj deri në përfundim të tubimit, do të kufizohet plotësisht lëvizja e automjeteve në pjesën e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”.
RRUGËT ME KUFIZIME TË PËRKOHSHME
Policia ka bërë të ditur se bllokime të përkohshme do të ketë edhe në disa rrugë dytësore, përfshirë:
- “Ukraina e Lirë”
- “Papa Gjon Pali II”
- “Ismail Qemali”
QËNDRIMI I POLICISË
Policia e Tiranës u ka bërë apel organizatorëve të protestës që të respektojnë afatin kohor dhe itinerarin e përcaktuar për tubimin, si dhe ka kërkuar nga pjesëmarrësit që të shmangin çdo veprim që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.
Masat vijnë si pjesë e planit të sigurisë për protestën e paralajmëruar në kryeqytet, me qëllim garantimin e qarkullimit dhe shmangien e incidenteve gjatë zhvillimit të tubimit.















