Një aksident detar është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në zonën detare në veri të Andros, ku një anije mallrash me flamur të Vanuatu u përplas në shkëmbinj dhe më pas u fundos, raportojnë mediat greke, mes tyre To Vima.

Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje ndërhynë mjetet lundruese të rojes bregdetare greke, si dhe një helikopter i Forcat Ajrore Greke, të cilat realizuan me sukses operacionin e shpëtimit.

Reklame

Të nëntë marinarët që ndodheshin në bord u evakuuan në kohë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas informacioneve paraprake, anija kishte nisur udhëtimin nga Shqipëria me destinacion Ukraina, duke transportuar rreth 8 mijë tonë sodë.

Për shkaqe që mbeten ende nën hetim, mjeti detar u përplas me shkëmbinjtë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës (6 maj). Përplasja shkaktoi dëmtime të rënda në trupin e anijes, duke çuar në hyrjen e shpejtë të ujit dhe, si pasojë, në fundosjen e saj.

Autoritetet përkatëse kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Reklame