Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se tërheqja e trupave amerikane nga Gjermania ishte e pritshme, duke theksuar se prania e tyre kishte qenë e përkohshme.
“Mund të jetë pak e ekzagjeruar, por nuk është diçka e re,” u shpreh ai, sipas raportimeve të Sky News.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi Merz kishte kritikuar qëndrimin amerikan ndaj Irani, duke thënë se Teherani e kishte “poshtëruar” Uashingtonin në bisedime. Kjo solli një reagim të ashpër nga Donald Trump, i cili i kërkoi kancelarit të merrej me “vendin e tij të shkatërruar”.
Megjithatë, Merz theksoi se nuk do të tërhiqet nga përpjekjet për të forcuar marrëdhëniet transatlantike.
“Nuk po heq dorë nga puna në marrëdhëniet transatlantike. As nuk po heq dorë nga bashkëpunimi me Donald Trumpin,” deklaroi ai për ARD.
Sa i përket çështjeve të sigurisë, kancelari bëri të ditur se SHBA nuk do të stacionojnë për momentin raketa lundrimi “Tomahawk” në Gjermani, një projekt i premtuar më herët nga Joe Biden në vitin 2024 për të rritur kapacitetet parandaluese të Berlinit.















