Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka cilësuar proceset e brendshme zgjedhore në PD si “zgjedhje të klasit epror”, ndërsa nga Dibra sqaroi arsyet pse garon i vetëm për rikonfirmimin në krye të partisë.

Sipas Berishës, mungesa e rivalëve seriozë lidhet me faktin se figurat me peshë në parti nuk hyjnë në garë kur nuk janë të bindur se mund të fitojnë.

Reklame

“PD po bën zgjedhje të klasit epror. E vërteta është që në 90% e rasteve ku aplikohet parimi një anëtar–një votë, ka vetëm një kandidat, sepse ata që kanë peshë dhe nuk janë të sigurt në fitore, nuk hyjnë në garë”, deklaroi Berisha.

Akuza ndaj Salianjit

Berisha u ndal edhe te mospranimi i kandidaturës së Ervin Salianjit, duke e akuzuar drejtpërdrejt për lidhje me elementë kriminalë dhe bashkëpunim me socialistët.

“Shkon në Elbasan. Më vinin mesazhe që Suel Çela u kërkonte njerëzve të merrnin pjesë në takime me kërcënim. I verifikova dhe i thashë: e ke përjashtuar veten nga PD. Ti nuk mund të përdorësh bandat kundër demokratëve. Pas 10 ditësh, në drekë me Taulant Ballën”, tha Berisha.

Koment edhe për Mereme Selën

Lidhur me kandidaten Mereme Sela, e cila kërkoi të garojë për kreun e PD-së, Berisha tha se ajo nuk plotëson peshën politike të nevojshme për një garë të tillë.

“Meremja është në PD, ka bërë një garë dhe ka marrë 43 vota në qarkun e Durrësit. Bravo i qoftë. Por për të kandiduar për të drejtuar demokratët, duhet të ketë disa prova të tjera, sepse përndryshe gara bëhet qesharake”, u shpreh ai.

Thirrje për protestën e 8 majit

Në fund të fjalës së tij, Berisha sulmoi qeverinë dhe tha se përballja me atë që e konsideron “regjim” do të jetë e pandërprerë.

Ai u bëri thirrje demokratëve për pjesëmarrje masive në protestën kombëtare të 8 majit, të thirrur nga Partia Demokratike.

Reklame