Detaje të rënda janë zbardhur nga aksidenti tragjik i ndodhur në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku dy fëmijë kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.
Sipas informacioneve paraprake, viktimat janë dy fëmijë të moshës 10 deri në 13 vjeç, ndërsa një 8-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pasi një automjet tip Benz ML ka kaluar me shpejtësi në rrugicat e lagjes, në momentin kur fëmijët po luanin pranë zonës së banimit.
Burime policore bëjnë me dije se njëri prej fëmijëve ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa tjetri ka humbur jetën më pas si pasojë e plagëve të marra.
I mituri tjetër është dërguar me urgjencë në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa pritet identifikimi dhe përgjegjësia penale ndaj drejtuesit të mjetit.















