Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka njoftuar zyrtarisht hapjen e afateve për certifikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listave të kandidatëve, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 7 qershor.

Sipas njoftimit, periudha nga 2 deri më 10 maj është caktuar për subjektet e reja politike, përfshirë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët duhet të paraqesin kërkesën për certifikim pranë Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar në KQZ.

Reklame

Ndërkohë, partitë politike ekzistuese konsiderohen automatikisht të certifikuara dhe nuk i nënshtrohen këtij procesi.

KQZ ka përcaktuar gjithashtu edhe afatin nga 2 deri më 12 maj për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, afat që vlen për të gjitha subjektet politike pa përjashtim, përfshirë partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.

Dorëzimi i listave do të kryhet përmes platformës elektronike të KQZ-së, ndërsa procesi administrativ mbetet i njëjtë me zgjedhjet e mëparshme të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar, duke synuar standardizim dhe transparencë në administrimin zgjedhor.

Reklame