Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka vendosur sekuestrimin preventiv të kompanisë së njohur të prodhimit të betonit “EURO – BETON 2005” sh.p.k., një prej operatorëve aktivë në sektorin e ndërtimit në kryeqytet.

Vendimi është marrë më 23 prill 2026 dhe është depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, duke vendosur nën kontroll ligjor aktivitetin e kompanisë me NIPT K51410004T.

Reklame

Sipas të dhënave hetimore, subjekti në pronësi të Arjan Ormenajt, Bujar Gazhelit dhe Pietro Telesca është nën hetim për veprat penale të “Mashtrimit”, “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim disa mujor pas sinjalizimeve nga organet ligjzbatuese shqiptare dhe partnere, duke dyshuar për një skemë të gjerë financiare të ndërtuar prej vitesh.

Sipas hetimit paraprak, dyshohet se përmes aktivitetit të kompanisë janë qarkulluar dhe pastruar dhjetëra milionë euro, ndërsa është evidentuar edhe evazion fiskal i konsiderueshëm dhe fatura fiktive në sektorin e ndërtimit.

Në dosje përmenden edhe lidhje të dyshuara me grupe kriminale, ku Arjan Ormenaj dyshohet si një figurë kyçe në qarkullimin e kapitaleve të paligjshme, përfshirë edhe struktura të goditura më herët nga SPAK.

Po ashtu, Bujar Gazheli është përmendur më herët si përfitues i fondeve publike në sektorin e shëndetësisë përmes kompanive të lidhura me furnizime mjekësore.

Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të thellojnë verifikimet mbi rrjetin e kompanive dhe transfertat financiare të lidhura me subjektin e sekuestruar.

Reklame