Ka nisur në Gjykatën e Posaçme seanca e parë gjyqësore për një nga fraksionet e hetimit të koduar “Revanshi”, ku përballen disa të pandehur të akuzuar nga Prokuroria e Posaçme.
Në këtë proces janë thirrur Aldo Avdyli, Edson Jozwik, Henerigert Mitri, Marklen Haka, Altin Morina, Jozi Kraja, Durim Bami dhe Oltion Zefi. Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm vetëm Jozi Kraja, i cili ka kërkuar që çështja të vijojë me gjykim të shkurtuar.
Seanca është shoqëruar me mungesa të shumta nga të pandehurit dhe avokatët e tyre. Aldo Avdyli nuk ishte i pranishëm, por ka deklaruar se përfaqësohet nga avokati Dritan Jahja, i cili mungonte në sallë. Edhe Oltion Zefi nuk u paraqit, ashtu si edhe mbrojtësi i tij, avokati Elis Bilali.
Henerigert Mitri mungoi në seancë, por u përfaqësua nga avokati Ardian Leka. Ndërkohë, Marklen Haka nuk ishte i pranishëm, ndërsa avokati i tij Erjon Kullolli mori pjesë në gjykim. Altin Morina gjithashtu mungoi, ndërsa mbrojtësi i tij nuk ishte paraqitur për arsye shëndetësore.
Edhe Durim Bami nuk u paraqit në sallë, por u përfaqësua nga avokati Ilir Murati, i cili mbështeti gjithashtu kërkesën për gjykim të shkurtuar.
Në cilësinë e viktimës së veprës penale ishte thirrur Gjergj Mihasi, babai i Erigers Mihasit, i cili kërkoi të mos marrë më pjesë në seancat gjyqësore për shkak të gjendjes shëndetësore, duke deklaruar se i beson vendimmarrjes së gjykatës.















