Lëvizja Vetëvendosje i ka kërkuar Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që të propozojnë nga tre emra për postin e presidentit, si një zgjidhje konkrete dhe përbashkuese për të dalë nga ngërçi politik që po rrezikon stabilitetin institucional në vend.
Kërkesa është bërë publike nga shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, e cila theksoi se deri tani, përtej deklaratave publike dhe reagimeve në rrjete sociale, nuk është dorëzuar zyrtarisht asnjë propozim nga opozita për një kandidat konsensual.
Nagavci ritheksoi ftesën ndaj opozitës që të propozojë tre kandidatë të pranueshëm, figura që vijnë jashtë skenës aktuale politike.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka propozuar kryeministrit Albin Kurti emrin e Vjosa Osmanit për një mandat të ri si presidente, duke kërkuar garanci se kandidatura e saj do të siguronte mbështetjen e 66 deputetëve të mazhorancës.
LDK është shprehur e gatshme ta mbështesë Osmanin nëse sigurohen votat e nevojshme, ndërsa PDK ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në votim në rast se mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit.
Nga ana tjetër, Vetëvendosje po këmbëngul që kandidati për president të jetë një figurë jashtë politikës aktive, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të përcaktojë qëndrimin e saj në vijim.















