Shumë persona, veçanërisht femrat, ankohen se flokët u yndyrosen shumë shpejt, shpesh vetëm pak ditë pas larjes. Ekspertët e kujdesit për flokët thonë se kjo lidhet shpesh me disa gabime të zakonshme në rutinën e përditshme.
Një nga arsyet kryesore është përdorimi i tepërt i shampos. Shpesh mendohet se sa më shumë shampo të përdoret, aq më të pastër do të jenë flokët, por e vërteta është ndryshe. Sasia e madhe e shampos dhe larja shumë e shpeshtë mund të stimulojnë prodhimin e yndyrës në lëkurën e kokës, duke e bërë problemin edhe më të dukshëm. Specialistët rekomandojnë larjen e flokëve rreth dy herë në javë dhe përdorimin e një sasie të moderuar shampoje.
Një tjetër gabim i shpeshtë është larja me ujë shumë të nxehtë. Temperaturat e larta thajnë lëkurën e kokës dhe largojnë vajrat natyralë, çka e shtyn organizmin të prodhojë më shumë yndyrë për ta kompensuar. Për këtë arsye këshillohet përdorimi i ujit të vakët.
Vëmendje duhet t’i kushtohet edhe furçave të flokëve. Shumë persona harrojnë t’i pastrojnë rregullisht, ndërkohë që mbi to grumbullohen papastërti dhe qeliza të vdekura. Për flokët që yndyrosen shpejt rekomandohen furça plastike me maja të rrumbullakosura, ndërsa furçat metalike nuk konsiderohen zgjedhja më e mirë.
Kujdesi ndaj këtyre detajeve të vogla mund të ndihmojë ndjeshëm në reduktimin e yndyrës së tepërt dhe në mbajtjen e flokëve më të pastër e më të shëndetshëm për më gjatë.















