Një organizatë e strukturuar e trafikut të kokainës, me bazë operative në Foligno dhe lidhje të drejtpërdrejta me Shqipërinë, është goditur nga Guardia di Finanza në Perugia, pas një hetimi të thelluar që zgjati dy vite.

Sipas autoriteteve italiane, droga transportohej me automjete dhe shpërndahej në një rrjet të gjerë qytetesh, përfshirë Perugia, Pistoia, Rimini, Montesilvano, Venecia, Mestre, Genova, Bolonja dhe Tolentino, duke mbuluar praktikisht gjysmën e territorit italian.

Reklame

Prokuroria e Perugias bën me dije se kreu i dyshuar i grupit ndodhej në Shqipëri, pasi ishte dëbuar nga Italia, por vijonte të drejtonte aktivitetin kriminal nga distanca.

Zëvendësi i tij menaxhonte kontaktet me furnitorët dhe blerësit, ndërsa bashkëshortja e kreut dyshohet se luante rolin e arkëtares, duke garantuar komunikimin mes tij dhe anëtarëve të tjerë të organizatës.

Korrierët ishin përgjegjës për transportin dhe shpërndarjen e ngarkesave, ndërsa në disa raste kryenin edhe shitje me pakicë në zonat e Folignos dhe Perugias.

Hetimet e seksionit Goa të Gico-s, pranë Njësisë së Policisë Ekonomiko-Financiare, çuan – mes janarit dhe prillit 2025 – në sekuestrimin e 68 kilogramëve kokainë dhe arrestimin në flagrancë të italianit Gian Paolo Coresi, 48 vjeç.

Një pjesë e drogës u gjet në ambiente të përdorura prej tij, ndërsa një sasi tjetër ishte fshehur në tavanin e rremë të një picerie në Foligno, e cila sipas hetuesve përdorej si mbulesë për pastrimin e parave.

Coresi ndodhet në paraburgim së bashku me gjashtë të dyshuar të tjerë – pesë shtetas shqiptarë dhe një rumun. Tre persona janë shpallur në kërkim, ndërsa bashkëshortja e kreut të dyshuar është vendosur në arrest shtëpie. Dy të tjerë janë lënë në paraburgim me vendim gjykate.

Sipas prokurorisë, organizata përdorte telefona të enkriptuar dhe aplikacione për mesazhe të çastit për të shmangur përgjimet. Në disa raste, anëtarët e grupit dispononin pajisje për zbulimin e kamerave të fshehta dhe mjeteve të përgjimit, çka tregon nivel të lartë organizimi dhe profesionalizimi kriminal.

Hetuesit kanë rindërtuar mbi 50 episode të dokumentuara të lëvizjes së lëndëve narkotike, duke evidentuar një strukturë të konsoliduar dhe një volum të konsiderueshëm trafiku.

Operacioni konsiderohet një nga goditjet më të rëndësishme ndaj trafikut të kokainës në rajonin e Umbria-s, me implikime të qarta ndërkombëtare. /La Nazione/

Reklame