Ministri Blendi Gonxhja zhvilloi sot një vizitë në fshatin Zerqan, ku po realizohet një ndërhyrje restauruese me rëndësi të veçantë në një nga banesat më të spikatura të trashëgimisë kulturore në zonë.

Bëhet fjalë për një banesë tradicionale, Monument Kulture i kategorisë së parë, pjesë e një kompleksi rural që përfaqëson arkitekturën e shekujve XVI–XIX. Në oborrin e saj ndodhet edhe Teqe Kadri e vitit 1739, e rindërtuar nga familja Shehu në vitin 1992, me strukturë karakteristike prej guri, qerpiçi dhe elementësh druri të punuar me finesë.

Reklame

Ndërhyrja restauruese po realizohet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, me synimin për të rikthyer objektin në identitetin e tij origjinal, duke ruajtur autenticitetin dhe tipologjinë arkitekturore.

Ky restaurim konsiderohet një hap i rëndësishëm për ruajtjen e memories historike dhe kulturore, ndërsa pritet të ndikojë pozitivisht edhe në zhvillimin e turizmit dhe jetës komunitare në zonë.

Sipas projektit, në fazën përfundimtare banesa do të shndërrohet në një muze familjar dhe një hapësirë sociale për vizitorët, duke i dhënë një dimension të ri kësaj pasurie me vlera të rralla.

Reklame