Zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Alteo Hysi, ka reaguar lidhur me disa publikime të shpërndara në rrjetet sociale, të cilat pretendojnë të paraqesin komunikime të brendshme të institucionit.
Në një deklaratë zyrtare, ai i cilësoi këto materiale si të pavërteta dhe pa asnjë lidhje me realitetin, duke theksuar se komunikimi i servirur për publikun është i paqenë.
“Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend”, u shpreh Hysi, duke shtuar se nuk është hera e parë që hidhen akuza të tilla në arenën publike ndaj përfaqësuesve të shërbimit të jashtëm.
Në reagim theksohet gjithashtu se ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm.
Sipas deklaratës, Shërbimi i Jashtëm vijon të kryejë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në misionin e tij dhe duke mos u ndikuar nga, siç thuhet, “zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme”.















