Ambasadori i Bashkimi Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë për qeverinë e Edi Rama, duke theksuar se vendi ndodhet në një fazë vendimtare të negociatave për anëtarësim, ku rezultatet konkrete janë thelbësore.
Gonzato u shpreh se progresi i Shqipërisë nuk matet vetëm me hartimin dhe miratimin e ligjeve, por mbi të gjitha me funksionimin real të institucioneve dhe sistemeve në praktikë.
Në fokus të deklaratës së tij ishte sektori ushqimor, ku ai nënvizoi rëndësinë e kategorizimit të operatorëve dhe përafrimit të tyre me standardet e BE-së. Sipas ambasadorit, një sistem funksional kategorizimi ndihmon autoritetet të identifikojnë qartë bizneset që përmbushin standardet europiane, ato që mund t’i arrijnë brenda një afati dhe subjektet që kërkojnë reforma më të thella.
Ai theksoi se kjo qasje është veçanërisht e rëndësishme në sektorë si përpunimi i qumështit dhe mishit, ku diferencat mes praktikave aktuale dhe kërkesave të BE-së mbeten të konsiderueshme.
Një tjetër pikë kyçe ishte cilësia e qumështit të papërpunuar, të cilën Gonzato e cilësoi si parakusht për konkurrueshmërinë në tregun europian. Sipas tij, harmonizimi me standardet e BE jo vetëm rrit besimin e konsumatorëve, por hap edhe mundësi të reja për eksportet shqiptare.
Ambasadori kërkoi më shumë angazhim nga qeveria për të ndihmuar bizneset të kuptojnë procesin e kategorizimit dhe për të siguruar mbështetje financiare, në mënyrë që reformat të mos mbeten vetëm në letër, por të zbatohen realisht në terren.















