Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e djeshme kompleksin “Arlis” pranë QSUT në Tiranë, duke shkaktuar dëme të rënda materiale dhe duke vënë në rrezik jetën e dhjetëra banorëve.
Sipas të dhënave paraprake, rreth 30 apartamente janë shkrumbuar plotësisht nga flakët. Pamjet nga vendngjarja janë tronditëse: ndërtesa e djegur, rrënoja të shumta dhe tym që vijon të dalë nga disa prej banesave, ndërsa fasada e godinës – e përbërë nga dy shtresa – është djegur në pjesën e jashtme dhe është dëmtuar edhe në thellësi.
Si pasojë e zjarrit, dyshohet se rreth 11 persona kanë pësuar asfiksi nga tymi, ndërsa fatmirësisht nuk raportohen viktima deri në këto momente. Të lënduarit kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërkohë që bilanci i plotë i dëmeve dhe i personave të prekur pritet të bëhet i ditur gjatë ditës.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta. Paraprakisht dyshohet se flakët mund të kenë nisur nga djegia e kartonave të një subjekti tregtar “Big Market” që ndodhet në kompleks, por kjo pistë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë. Ndërkohë, banorët e prekur kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për strehim dhe dëmshpërblim pas humbjeve të mëdha që kanë pësuar.















