Një 40-vjeçar është arrestuar nga policia në Maliq pasi dyshohet se qëllonte me armë zjarri në ajër, duke terrorizuar banorët e zonës dhe duke rrezikuar jetën e tyre. Në pranga ka rënë edhe një shtetas grek që ndodhej me të në momentin e ngjarjes.

Sipas njoftimit të policisë, në pranga ka rënë Kristo Agolli, 40 vjeç, banues në Orman të Maliqit. Ai rezulton i dënuar më parë për vjedhje dhe për prodhim e shitje të narkotikëve.

Reklame

Në vendngjarje u sekuestruan një armë zjarri tip kallashnikov dhe municion luftarak.

Gjatë kontrollit në banesën e 40-vjeçarit, policia gjeti gjithashtu fara kanabisi dhe një aparat metalkërkues, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi grek D. P., 48 vjeç, banues në Athinë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ndodhej së bashku me 40-vjeçarin në momentin kur ai qëllonte me armë zjarri.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi grek kishte ardhur në banesën e 40-vjeçarit për të kërkuar flori me anë të aparatit metalkërkues, i cili dyshohet se ishte sjellë prej tij nga Greqia.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.

Reklame