Komisioni Evropian ka paralajmëruar vendosjen e masave të përkohshme ndaj Meta, në kuadër të një përplasjeje për dyshime mbi shkeljen e rregullave të konkurrencës në Bashkimin Evropian.

Hetimi u hap pasi kompania njoftoi vitin e kaluar kufizimin e aksesit në WhatsApp për ofruesit rivalë të inteligjencës artificiale. Më pas, Meta deklaroi se do ta rikthente këtë akses, por duke aplikuar një tarifë për përdorimin e tij.

Reklame

Zëvendëspresidentja e Komisionit, Teresa Ribera, theksoi se kalimi nga një ndalim i plotë në një model me pagesë nuk ndryshon vlerësimin paraprak të institucionit.

“Zëvendësimi i ndalimit me një çmim që prodhon të njëjtin efekt nuk e ndryshon qëndrimin tonë fillestar se sjellja e Meta-s duket si abuzim me pozitën dominuese, që mund të dëmtojë konkurrencën në tregun e asistentëve të inteligjencës artificiale”, u shpreh ajo.

Masat e përkohshme, nëse miratohen, synojnë rikthimin e aksesit të plotë për asistentët rivalë të IA-së në WhatsApp deri në përfundim të hetimit. Sipas Komisionit, praktika që përjashton konkurrentët në tregje me zhvillim të shpejtë si inteligjenca artificiale është pikërisht ajo që këto masa synojnë të ndalojnë.

Meta ka të drejtë të përgjigjet ndaj vlerësimit të Brukselit dhe të propozojë zgjidhje për të shmangur masat ndëshkuese. Nëse shkeljet konfirmohen, kompania amerikane mund të përballet me gjoba të rënda.

Ndërkohë, procedura të tjera ndaj Meta-s janë në zhvillim në BE, përfshirë dyshime për mungesë transparence mbi të dhënat dhe menaxhimin e përmbajtjeve të paligjshme në platformat si Facebook dhe Instagram. Autoritetet evropiane po hetojnë gjithashtu nëse kompania ka shkelur rregullat për mbrojtjen e të miturve, përfshirë ekspozimin e tyre ndaj algoritmeve që mund të krijojnë varësi.

Reklame