Pas refuzimit të mazhorancës për të zhvilluar një mocion me debat mbi fondet e programit IPARD në bujqësi, 45 deputetë të opozitës kanë kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor në Kuvend për kontrollin e ligjshmërisë në administrimin e fondeve të IPARD II.

Sipas raportimeve të Zyrës së Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve (OLAF), një pjesë e financimit të thirrjes së parë dhe të dytë për programin IPARD II, në shumën 33 milionë euro, u konsiderua e papranueshme, gjë që çoi më pas edhe në pezullimin e këtyre fondeve. Ndërkohë, u pezulluan edhe fondet e programit IPARD III, në shumën 112 milionë euro. OLAF e ka cilësuar këtë situatë si shkelje serioze të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale, duke e përshkruar si “kriminale” dhe “korruptive”. Si rezultat, fermerët shqiptarë humbën mundësinë për të përfituar mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian përmes programit IPARD III.

Reklame

Komisioni Hetimor i propozuar nga deputetët e opozitës do të ketë si objekt:

Kontrollin e zbatimit të Marrëveshjes Kuadër IPA II dhe Marrëveshjes Sektoriale IPARD II;

Verifikimin e procesit të përzgjedhjes, miratimit dhe financimit të aplikimeve fituese të fondeve IPARD II;

Analizimin e respektimit të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale nga përfituesit e fondeve IPARD II gjatë zbatimit të projekteve;

Identifikimin e shkeljeve dhe parregullsive të mundshme në administrimin e fondeve dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale;

Vlerësimin e nevojës për ndërmarrjen e masave ligjore, përfshirë ndryshimet e mundshme në legjislacionin relevant për të garantuar ligjshmërinë, llogaridhënien dhe transparencën në administrimin e fondeve;

Propozimin e masave konkrete për të mbrojtur interesat financiare të BE-së dhe për të mundësuar zhbllokimin e fondeve për programin IPARD III.

Komisioni propozohet të përbëhet nga 11 anëtarë, ku kryetari dhe katër anëtarë do të jenë nga Partia Demokratike dhe gjashtë anëtarë nga Partia Socialiste.

Deputetët nënshkrues theksojnë se ngritja e këtij komisioni është e nevojshme për të siguruar transparencë dhe për të parandaluar shkelje të mëtejshme në administrimin e fondeve të Bashkimit Evropian për bujqësinë shqiptare.

Kerkese per ngritjen e Komisionit Hetimor per fondet e IPARD (1)

Reklame