Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar pas zjarrit që përfshiu një pallat në kompleksin “Arlis” në Tiranë, duke kërkuar një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës për këtë ngjarje.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe theksoi se kjo nuk është hera e parë që pallate në kryeqytet përfshihen nga zjarre të tilla, duke ngritur shqetësimin për standardet e ndërtimit dhe materialet e përdorura.

Reklame

Ai vuri në dukje se fatmirësisht nuk ka pasur viktima, duke theksuar se jeta e qytetarëve duhet të jetë prioritet absolut. Po ashtu, Braçe shprehu mirënjohje për zjarrfikësit, efektivët e forcave speciale dhe ekipet e urgjencës që ndërhynë në kushte të vështira për të përballuar situatën.

Deputeti ngriti disa pyetje të forta mbi sigurinë e ndërtesave në Tiranë: “I sati pallat është ky që digjet kështu?”, duke kërkuar që hetimi të përfshijë jo vetëm kompaninë e ndërtimit, por edhe institucionet përgjegjëse.

Sipas tij, vetëm një hetim profesional dhe i plotë mund të parandalojë përsëritjen e ngjarjeve të tilla, të cilat rrezikojnë jetën e qytetarëve. Braçe theksoi se ky rrezik duhet të marrë fund njëherë e mirë në Tiranë, pavarësisht kostos që mund të ketë për kompanitë ndërtuese.

Ai shtoi se qyteti nuk duhet të përballet më me pasoja të tilla për shkak të mënyrës së ndërtimit dhe materialeve të përdorura.

Reklame