Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj institucioneve të drejtësisë dhe qeverisë, duke deklaruar se kreu i SPAK, Altin Dumani, ka marrë në dorë dosjen që lidhet me rrëmbimin e ish-zyrtarit të AKSHI-t, Daniel Shima.

Gjatë një deklarate publike, Berisha u shpreh se ka informacione se çështja është rikthyer në SPAK dhe se po bëhen përpjekje për të zhvlerësuar dëshminë e Shimës, i cili sipas tij “di gjithçka” për aferat e pretenduara në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Reklame

Ai akuzoi gjithashtu qeverinë e drejtuar nga Edi Rama, duke e cilësuar AKSHI-n si “një nga institucionet më fitimprurëse” për të dhe rrethin e tij familjar, ndërsa përmendi edhe pretendime për abuzime me tendera dhe projekte teknologjike.

Berisha solli në vëmendje edhe rrëmbimin e Daniel Shimës, për të cilin tha se ka ndodhur në mes të ditës dhe se ai është mbajtur dhe keqtrajtuar, me qëllim që të tërhiqej nga procedura të lidhura me tendera. Sipas tij, çështja nuk është hetuar siç duhet dhe fillimisht është trajtuar nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa SPAK nuk kishte nisur hetime.

Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi se drejtësia po vepron në mënyrë selektive dhe se nuk po heton çështje që lidhen me qeverinë. Ai përmendi gjithashtu edhe projekte të mëhershme në Durrës, duke pretenduar për ndërhyrje dhe kërkesa për ryshfet.

Në përfundim, Berisha theksoi se, sipas tij, mungesa e hetimeve ndaj qeverisë ka sjellë rritje të pakënaqësisë qytetare, duke e cilësuar situatën si një problem serioz për funksionimin e shtetit ligjor në vend.

Reklame