Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimeve në Shqipëri, duke e cilësuar situatën si të papërballueshme për qytetarët dhe të lidhur drejtpërdrejt me modelin ekonomik dhe keqqeverisjen.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku thekson se familjet shqiptare përballen çdo muaj me kosto gjithnjë e më të larta jetese, ndërkohë që të ardhurat mbeten të ulëta, duke krijuar një hendek të thellë mes çmimeve dhe fuqisë blerëse.
Sipas saj, çmimet në Shqipëri kanë arritur rreth 60% të nivelit të Bashkimit Europian, ndërsa të ardhurat e qytetarëve mbeten vetëm në rreth 20%. Ajo argumenton se kjo situatë nuk është pasojë e tregut të lirë, por e deformimit të tij, për shkak të mungesës së konkurrencës reale në sektorë kyç si ushqimet dhe karburantet.
Tabaku shton se prania e strukturave oligopoliste ka ndikuar në vendosjen e çmimeve, ndërsa taksat e larta dhe komplekse rëndojnë më tej mbi qytetarët, duke u reflektuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës.
Deputetja e cilëson modelin ekonomik aktual si të shteruar, të varur nga shpenzimet publike dhe pa mbështetje për prodhimin dhe investimin privat.
“Çmimet e larta nuk janë rastësi. Ato janë rezultat i një sistemi që nuk funksionon për shumicën,” shprehet Tabaku, duke theksuar se ndryshimi i kësaj situate kërkon një ndryshim të qeverisjes.















