Një operacion i gjerë i Policisë italiane ka çuar në arrestimin e 20 personave, mes tyre 19 shtetas shqiptarë, të akuzuar për shpërndarje droge dhe aktivitete të tjera kriminale.
Sipas mediave të huaja, organizata kriminale operonte në mënyrë të strukturuar, duke shfrytëzuar edhe mbështetjen e disa shtetasve italianë. Për të fshehur aktivitetin e paligjshëm, rrjeti përdorte biznese të ligjshme si qendra telefonike dhe shërbime “money transfer”, përmes të cilave menaxhonte shpërndarjen e drogës dhe pastrimin e parave.
Hetimet kanë zbuluar se shpërndarja e lëndëve narkotike realizohej në mënyrë të sofistikuar. Blerësit kontaktonin përmes aplikacionit WhatsApp në disa numra italianë, ndërsa një “centralist” merrte porositë dhe koordinonte shpërndarësit në terren. Kjo skemë siguronte anonimatin e palëve dhe e bënte më të vështirë ndërhyrjen e policisë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 600 gramë kokainë, 80 gramë kanabinoidë dhe 38,376 euro, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal. Gjithashtu, autoritetet kanë identifikuar rreth 40 përdorues droge, të moshës 25-60 vjeç, të gjithë banorë të Piacenzës.
Shtetasit e huaj të arrestuar janë dëbuar nga Italia dhe janë riatdhesuar në Shqipëri, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar pjesëtarë të tjerë të rrjetit dhe për të parandaluar transferimin e paligjshëm të parave jashtë vendit.















