Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se janë miratuar zona të reja prioritare në kuadër të “Paketës së Maleve” në katër bashki të vendit.

Sipas tij, bëhet fjalë për bashkitë Sarandë, Kuçovë, Gramsh dhe Tropojë, të cilat i janë bashkuar procesit të identifikimit të zonave me prioritet zhvillimi.

Reklame

Demo theksoi se bashkëpunimi me pushtetin vendor po zgjerohet, ndërsa numri i bashkive të përfshira në këtë iniciativë vijon të rritet. Ai bëri të ditur se aplikimet në terren kanë kaluar shifrën 500, një tregues që sipas tij dëshmon interesin në rritje për këtë paketë.

“Numri i aplikimeve në territor është rritur ndjeshëm dhe tashmë ka kaluar mbi 500, edhe për faktin se çdo javë po shtohen bashki të reja”, u shpreh ministri.

Megjithatë, pavarësisht shifrave në rritje, mbeten pikëpyetje mbi efektet konkrete të kësaj pakete në zhvillimin real ekonomik të zonave malore, të cilat prej vitesh përballen me braktisje dhe mungesë investimesh.

Ministri paralajmëroi se në javët në vijim pritet që edhe bashki të tjera të përfundojnë procesin e miratimit të zonave prioritare, me synimin për të nxitur ekonominë lokale dhe për t’iu përgjigjur nevojave specifike të territoreve.

Por sfida kryesore mbetet e njëjtë: a do të shndërrohen këto plane në investime konkrete, apo do të mbeten thjesht në nivel aplikimesh dhe premtimesh?

Reklame