Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për një protestë kombëtare më 17 prill në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në një komunikim në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se opozita është “më e fuqishme dhe më e vendosur se kurrë” në misionin e saj, ndërsa e cilësoi protestën e 22 marsit si një “kryengritje paqësore” me jehonë të gjerë brenda dhe jashtë vendit.

Reklame

Sipas tij, qytetarët shqiptarë treguan se nuk pajtohen me, sipas tij, korrupsionin dhe kapjen e sistemit të drejtësisë nga qeveria. Ai akuzoi gjithashtu mediat për heshtje ndaj asaj që e quajti “afera Rama-Balluku”, duke pretenduar se është tentuar të shmanget vëmendja publike.

Berisha ngriti akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si “narkoqeveri”, ndërsa pretendoi se ka lidhje me grupe kriminale dhe trafik droge. Ai kritikoi edhe qëndrimet e kryeministrit ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke i cilësuar si të papranueshme.

Në fund të mesazhit të tij, Berisha theksoi se protesta e 17 prillit do të jetë një moment kyç, duke i bërë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria të bashkohen në Tiranë për të kërkuar largimin e qeverisë.

“Opozita qëndron më e fuqishme se kurrë, më e vendosur se kurrë në misionin e saj”, u shpreh ai.

Reklame