Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj institucioneve të drejtësisë në vend, duke i cilësuar ato si një “sistem turpi dhe qesharak”.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha u ndal te çështja e gjyqtares Irena Gjoka, për të cilën tha se po mbrohet nga strukturat e drejtësisë.
Sipas tij, institucionet si Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë kanë vepruar për ta mbrojtur atë.
“Prokurorit të Përgjithshëm iu deshën dy vite për të nxjerrë një vendim që ishte i qartë që në javën e parë. Ai u zvarrit për dy vite duke lëpirë çizmet e Irena Gjokës”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se edhe KLGJ, sipas tij, ka dhënë përgjigje kontradiktore për një dokument që lidhet me një vendim të vitit 1996, duke akuzuar institucionin për mashtrim dhe fshehje dokumentesh.
Berisha kritikoi gjithashtu edhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, duke thënë se institucionet nuk po i vënë në dispozicion palës ankuese dosjen përkatëse.
Në deklaratën e tij, Berisha pretendoi se këto institucione janë nën ndikimin e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar situatën si “gjendjen më mjerane dhe më turpshme të institucioneve të drejtësisë”.















