Një rast i dyshuar kontrabande mallrash është goditur nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Diversity”, ku është arrestuar në flagrancë një 26-vjeçar, ndërsa dy bashkëpunëtorë të tij janë shpallur në kërkim.

Sipas policisë, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, organizuan aksionin për goditjen e këtij aktiviteti të paligjshëm.

Reklame

Operacioni u zhvillua në afërsi të Kamzës, ku policia ndaloi një automjet që drejtohej nga shtetasi E. K., 26 vjeç. Gjatë kontrollit të mjetit u zbulua një sasi prej rreth 524 gramësh flori, e fshehur në mënyrë të sofistikuar brenda baterisë së automjetit, për të shmangur zbulimin nga autoritetet.

Në automjet u gjetën gjithashtu veshje të ndryshme, paketa cigaresh, dy makina qepëse, një shumë parash si dhe sende e pajisje të tjera të dyshuara si mallra të futur në vend në mënyrë të kundërligjshme.

Si rezultat i veprimeve procedurale, policia arrestoi drejtuesin e automjetit E. K., ndërsa shpalli në kërkim F. K. dhe M. G., të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me të në këtë aktivitet të paligjshëm.

Nga hetimet paraprake rezulton se tre personat dyshohet se kanë futur mallrat në territorin e Shqipërisë në mënyrë të kundërligjshme, duke tentuar më pas t’i shpërndanin në treg.

Mallrat e sekuestruara janë marrë në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

Reklame