Sali Berisha ka bërë thirrje për një protestë më 12 mars, duke deklaruar se qytetarët do të mblidhen para Parlamentit për të kërkuar largimin e menjëhershëm nga pushteti të kryeministrit Edi Rama.

Gjatë deklaratës së tij, Berisha tha se “koha e diktatorëve po perëndon në nivel global”, ndërsa shtoi se shqiptarët do t’i japin, sipas tij, përgjigjen e merituar qeverisë aktuale.

Reklame

Ai akuzoi kryeministrin Rama për “krime të rënda”, tentativa për “grusht shteti” dhe përpjekje për të krijuar mburojë ligjore për t’iu shmangur përgjegjësisë para ligjit”, duke theksuar se këto zhvillime janë një thirrje për reagim qytetar.

Sipas Berishës, protesta e 12 marsit do të jetë një “kryengritje paqësore e qytetarëve shqiptarë”, që synon largimin e qeverisë dhe rikthimin, siç u shpreh ai, të votës së lirë.

Në deklaratën e tij, lideri i opozitës kritikoi gjithashtu edhe një letër të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić, duke e cilësuar atë si veprim që, sipas tij, dëmton interesat e shqiptarëve.

Berisha theksoi se data 12 mars do të jetë dita e qytetarëve, të cilët – sipas tij – do të mblidhen para Parlamentit me një kërkesë të vetme: largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.

Reklame