Një aksident rrugor është regjistruar këtë të enjte në aksin Autostrada Morinë–Kukës, pranë fshatit Perbreg, Kukës, Albania.
Sipas të dhënave paraprake, një automjet ka dalë nga rruga, është përplasur me murin mbajtës të autostradës dhe më pas ka përfunduar në kanal.
Drejtuesi i mjetit, Besart Cecelia, 48 vjeç, fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime të rënda. Ai ka treguar se në momentin e aksidentit ishte shumë i lodhur dhe e kishte zënë gjumi në timon, duke humbur kështu kontrollin e automjetit.
Në një prononcim pas ngjarjes, ai tha se ishte nisur nga Kosova për në Shkodër, ku punon si trajner futbolli. “Quhem Besart Cecelia, jam nga Vushtrri e Kosovës. Isha duke ardhur nga Kosova për të shkuar në punë. Isha i lodhur, në një moment më zuri gjumi dhe e pashë veten duke dalë nga rruga. Falë Zotit shpëtova dhe jam shumë mirë. Lartësia mendoj se është më shumë se 10 metra. Isha vetëm në makinë. Po shkoja në Shkodër se kishim stërvitjen. Jam trajner futbolli te FC Basanja. Kam lindur për së dyti”, u shpreh ai.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe ambulanca, të cilat i kanë dhënë ndihmën e parë drejtuesit të mjetit.
Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
















