Një përplasje e dhunshme mes dy grupeve kriminale ka ndodhur në Ranzanico, në veri të Italisë, ku mbeti i plagosur rëndë me thikë një shtetas shqiptar 30-vjeçar. Katër persona janë arrestuar nga autoritetet italiane.
Ngjarja u regjistrua pranë barit “Ignazzi”, në hyrje të rezidencës “La Filanda”, në ish-rrugën shtetërore 42, afër liqenit Endine. Përleshja përfshiu përdorimin e thikave, shisheve dhe sendeve të forta.
I riu shqiptar u godit me thikë mes bazës së qafës dhe fytit dhe ndodhet në gjendje kritike në spitalin Papa Giovanni XXIII.
Sipas mediave italiane, autor i sulmit dyshohet të jetë një 26-vjeçar italian, i varur nga droga. Ai mbeti i plagosur në kokë pas kundërpërgjigjes me shishe qelqi dhe u transportua në spitalin Humanitas Gavazzeni për trajtim mjekësor.
Autoritetet italiane dyshojnë se konflikti lidhet me kontrollin e territorit dhe aktivitetin e trafikimit të drogës. Karabinierët sekuestruan disa doza kokaine jashtë lokalit, ndërsa burimi i tyre mbetet ende nën hetim.
Të gjithë të përfshirët në sherr janë arrestuar, ndërsa gjatë mbrëmjes janë kryer kontrolle në banesat e tyre për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.















