Pak minuta para nisjes së protestës së katërt kombëtare të thirrur këtë vit nga Partia Demokratike, sheshi para Kryeministrisë është mbushur me grupet e para të mbështetësve të opozitës.
Protestuesit kanë ardhur të pajisur me pankarta dhe slogane të drejtpërdrejta kundër kryeministrit Edi Rama, një prej të cilave ka tërhequr menjëherë vëmendjen për tonin e ashpër: “Sot votën, nesër votrën”.
Protesta e sotme zhvillohet në sfondin e një serie akuzash dhe skandalesh të bëra publike nga opozita, e cila pretendon se qeveria socialiste ka humbur legjitimitetin moral dhe politik për të vijuar qeverisjen.
Përfaqësues të PD dhe mbështetës të shumtë në terren artikulojnë të njëjtin qëndrim: largimin e kryeministrit Edi Rama.
Një tjetër kërkesë e protestuesve është ngritja e një qeverie teknike, e cila sipas opozitës do të shërbejë si garant për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Me rritjen e fluksit të mbështetësve dhe intensifikimin e thirrjeve, protesta pritet të eskalojë në një nga demonstratat më të mëdha të muajve të fundit, me pritshmëri për deklarata të forta nga liderët e opozitës.
Në vijim pritet që turma të vijojë të rritet ndërsa organizatorët sinjalizojnë se protesta do të vazhdojë deri në adresimin e kërkesave kryesore politike.
















