Pas dy muajsh pritjeje nga dorëzimi i kërkesës së SPAK, Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve u mblodh për herë të dytë për të shqyrtuar arrestimin e Belinda Balluku. Mbledhja nisi në orën 10:00 dhe po zhvillohet me dyer të mbyllura, me kërkesë të prokurorisë, për shkak të sekretit hetimor. Vetë zv.kryeministrja nuk ishte e pranishme.
SPAK: “Rrezikon deri në 35 vite burg, të njëjtën vepër e ka kryer 9 herë”
Në një deklaratë të fortë para anëtarëve të Këshillit, kreu i SPAK, Klodian Braho, tha se pozita penale e Ballukut është rënduar ndjeshëm.
Sipas prokurorëve, nëse në fazën e parë rrezikonte deri në 10 vite burg, tani – me akuzat e reja – ajo rrezikon deri në 35 vite heqje lirie. Prokuroria pretendon se e njëjta vepër penale është konsumuar 9 herë, me nga 4 vite dënim për secilën, çka me bashkim dënimesh çon në këtë marzh maksimal.
Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë për Tunelin e Llogarasë dhe është nën hetim edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe.
Akuza për intimidim dëshmitarësh: “Të fortë” në emër të saj
SPAK deklaroi se më 20 nëntor 2025, Balluku ka intimiduar dy dëshmitarë duke u kërkuar ndryshimin e dëshmisë. Sipas prokurorisë, persona të “fortë” kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të saj.
Organet e akuzës thanë se disponojnë transkripte bisedash dhe prova të përfshira në 16 mijë faqe dokumentacion të dorëzuar në Kuvend.
Në pyetjet e deputetit socialist Ulsi Manja, prokurorët konfirmuan se personat e intimiduar janë si dëshmitarë ashtu edhe të pandehur të tjerë.
Përplasje e ashpër PS–PD: “Keni penguar drejtësinë”
Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën për zvarritje të qëllimshme të kërkesës për më shumë se dy muaj.
“Keni penguar për 2 muaj drejtësinë, keni shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren”, u shpreh ai, duke kërkuar mbledhje me dyer të hapura.
Nga ana tjetër, Taulant Balla reagoi ashpër ndaj opozitës:
“Është e pakuptueshme dhe qesharake që PD kundërshton kërkesën e prokurorit për zhvillim me dyer të mbyllura. Mjerë Shqipëria për këtë opozitë.”
Avokatët: “S’ka motive politike, provoni rrezikun e prishjes së provave”
Avokatët e Ballukut, Pamela Qirko dhe Ardian Kalija, kërkuan rrëzimin e kërkesës për arrestim. Ata argumentuan se klientja e tyre ka zbatuar masën e pezullimit dhe ka dorëzuar dokumentet personale, duke mohuar rrezikun e largimit apo prishjes së provave.
Në debat u ngrit edhe pyetja nëse kërkesa e SPAK ka sfond politik. Prokurorët e mohuan kategorikisht këtë pretendim, ndërsa vetë avokatët pranuan se nuk kanë indicie për motivim politik.
Çfarë pritet më tej?
Heqja e imunitetit nga Kuvendi do t’i hapte rrugë arrestimit të Ballukut – qoftë me burg, arrest shtëpie apo kontrolle banese.
Duke qenë se kjo është “javë e gjelbër”, raporti pritet të kalojë për votim në seancën plenare të 5 marsit.
Çështja “Balluku” tashmë ka hyrë në një fazë vendimtare, me akuza të rënda, tension politik maksimal dhe një betejë që pritet të kulmojë në sallën e Parlamentit.















