Deputetja e Lëvizja Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, ka reaguar me tone të ashpra për situatën e krijuar në Juglindje të Shqipërisë, duke e cilësuar atë si pasojë të korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë në menaxhimin e infrastrukturës rrugore.

Në një postim në rrjetet sociale, Xhixho shprehet se mijëra qytetarë kanë mbetur të bllokuar në rrugë për shkak të degradimit të akseve, duke theksuar se problematika nuk prek vetëm turistët, por edhe persona të sëmurë, fëmijë, të moshuar dhe biznese që kanë pësuar humbje.

Reklame

Ajo akuzon qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për, sipas saj, kalim të “çdo vije të kuqe morali dhe përgjegjshmërie”, ndërsa flet për rrugë të ndërtuara me “cilësi kartoni” dhe përkeqësim të infrastrukturës ekzistuese.

Në reagimin e saj, Xhixho shpreh solidaritet me qytetarët e bllokuar dhe dënon atë që e quan korrupsion, papërgjegjshmëri dhe paaftësi që kanë sjellë degradimin e situatës në Juglindje.

Deklarata vjen në një moment kur disa akse rrugore në zonë janë përballur me dëmtime serioze, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh dhe vonesa të konsiderueshme në qarkullim.

Reklame