Është zbardhur dinamika e ngjarjes së ndodhur pak pas mesnate në zonën e Saukut, ku 18-vjeçarja me iniciale N.M. u paraqit e plagosur me armë zjarri në spital. Sipas policisë, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15, në ambientet e një hoteli në pronësi të familjes Gjuta. Nga veprimet hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, si dhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë, ka rezultuar se 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur në një nga dhomat e hotelit.

Reklame

Sipas dëshmisë së Natalit, ajo ka qenë e vetme në dhomë në momentin e vetëplagosjes, ndërsa i dashuri i saj, Erisjaldo Gjuta, 22 vjeç, ndodhej jashtë së bashku me familjarë të tij.

Pas të shtënës, në dhomë kanë hyrë Sajmir Gjuta dhe Erisjaldo Gjuta, të cilët kanë dëgjuar krismën. Më pas janë njoftuar edhe anëtarët e tjerë të familjes: Mirvete Rexhmati Gjuta, Vladimir Gjuta dhe Elvir Gjuta.

Sipas hetimeve paraprake, disa prej tyre dyshohet se kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes, duke fshehur armën e zjarrit dhe duke pastruar gjurmët e gjakut. Mirvete Rexhmati Gjuta dhe Elvir Gjuta e kanë transportuar 18-vjeçaren drejt spitalit.

Fillimisht është deklaruar se vajza ishte gjetur e shtrirë pranë zonës së “Ekonomikut”, por hetimet e mëvonshme zbuluan se ngjarja kishte ndodhur brenda hotelit të familjes Gjuta në Sauk.

Në dëshminë e saj, 18-vjeçarja ka pohuar se ka qenë vetëm në dhomë në momentin e vetëplagosjes. Ajo ka deklaruar gjithashtu se më herët kishte tentuar të dëmtonte veten duke konsumuar medikamente.

Në lidhje me rastin, janë arrestuar në flagrancë:

Mirvete Rexhmati Gjuta, 48 vjeçe

Vladimir Gjuta, 46 vjeç

Të dy akuzohen për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim:

Sajmir Gjuta, 49 vjeç

Elvir Gjuta, 24 vjeç

Erisjaldo Gjuta, 22 vjeç

Policia vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Reklame