Një operacion i koduar “Portali 1” është finalizuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Pronës në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Sipas Policisë, operacioni u zhvillua pas kallëzimit të një punonjësi të administratës publike, i cili pretendonte se ishte shantazhuar nga administratori i një portali online.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe hetimeve të ndjekura me metoda speciale, në zyrën e subjektit në Tiranë u arrestua në flagrancë shtetasi Eljo Laze, 37 vjeç, gazetar, menjëherë pasi mori shumën prej 5000 eurosh nga i dëmtuari.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 37-vjeçari i kishte kërkuar këtë shumë parash punonjësit të administratës publike, me qëllim fshirjen e disa shkrimeve të publikuara në kohë të ndryshme në portalin që ai administronte.
I arrestuari rezulton me precedent të mëparshëm penal për armëmbajtje pa leje.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma e eurove dhe 4 telefona celularë, të cilët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.
Në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”.














