Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin me iniciale I.M., i akuzuar për shpërndarje dhe ruajtje të materialeve me përmbajtje seksuale me të mitur në disa platforma online.
Sipas organit të akuzës, nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri ka shpërndarë në total 111 materiale foto dhe video me përmbajtje seksuale me të mitur përmes platformave si “Mobile Streaming”, “TikTok” dhe “Pinterest.com”.
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata ka autorizuar kontrollin personal dhe të banesës së të dyshuarit, si dhe sekuestrimin e dy aparateve celularë “smartphone”. Po ashtu, është lejuar aksesi për kontrollin e të dhënave të ruajtura në pajisje.
Nga ekspertiza tekniko-kompjuterike e kryer mbi telefonat e sekuestruar janë zbuluar 30 video dhe 125 imazhe me përmbajtje pornografike me të mitur, të moshës 10–12 vjeç.
Sipas hetimeve, materialet dyshohet se janë siguruar nga burime të ndryshme, përfshirë komunikime në “chat”, navigim në internet si dhe përmes aplikacionit “Telegram”, nga ku mendohet se është shkarkuar pjesa më e madhe e tyre.
Prokuroria bën me dije se materialet procedurale i janë referuar Gjykatës për vijimin e procesit gjyqësor ndaj të pandehurit.















