Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi këtë të enjte masat e sigurimit për të gjithë të pandehurit në dosjen e bujshme të AKSHI-t, duke i dhënë një tjetër goditje përpjekjeve për zbutje të masave shtrënguese.

Sipas vendimit, Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi do të vijojnë të qëndrojnë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa për të pandehurit e tjerë mbeten në fuqi masat e mëparshme të vendosura nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.

Reklame

Trupi gjykues monokratik, i kryesuar nga gjyqtari Florjan Kalaja, ka vlerësuar se nuk ekzistojnë ndryshime në rrethanat faktike dhe ligjore që do të justifikonin lehtësimin apo ndryshimin e masave të sigurisë, duke vendosur vijimësinë e tyre deri në një vendimmarrje tjetër.

Gjykata ka miratuar:

vendimin nr. 125, datë 15.12.2025, për caktimin e masave të sigurisë;

vendimin nr. 131, datë 18.12.2025, për verifikimin e kushteve dhe kritereve të masave shtrënguese.

Njëkohësisht, Apeli ka vendosur ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të vendimit deri në përfundimin e hetimeve paraprake, në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale.

Arrest në burg: Ergys Agasi, Ermal Beqiri (në kërkim)

Arrest në shtëpi: Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi

Pezullim nga detyra + ndalim për të dalë jashtë vendit: Erion Ismaili, zv.drejtor i Policisë së Tiranës

Ndalim për të dalë jashtë vendit: Andis Papa, Gëzim Hoxha, Rogers Rryta

Karçanaj, Agasi, Beqiri dhe zyrtarë të tjerë akuzohen për:

shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash.

Vendimi i Apelit konsiderohet një sinjal i qartë se drejtësia e posaçme nuk do të tolerojë asnjë lëvizje që mund të cenojë hetimet, ndërsa dosja e AKSHI-t mbetet një nga çështjet më sensitive që pritet të zbardhë mekanizmat e dyshuar të abuzimit me fondet publike dhe procedurat e prokurimit.

Reklame