Nga incidentet gjatë tubimit para Parlamentit, si pasojë e sulmeve me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta, u dëmtuan tetë punonjës policie, të cilët u transportuan për ndihmë mjekësore, pasi pësuan djegie dhe dëmtime fizike.
Sipas informacionit zyrtar, tetë është numri i punonjësve të dëmtuar gjatë gjithë protestës, megjithëse ende nuk dihet nëse kjo është shifra finale.
Në reagimin e saj, ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, theksoi se e drejta për të protestuar u cenua nga një grup që përdori dhunën në vend të dialogut.“E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shteti. Dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj. Mirënjohje për çdo punonjës policie që tregoi profesionalizëm dhe maturi përballë çdo provokimi,” tha Koçiu.
Ajo shtoi se Policia do të jetë gjithmonë në krye të detyrës, duke garantuar të drejtën për të protestuar, sigurinë e qytetarëve dhe të pronës publike.
Ngjarjet e fundit theksojnë tensionin në shesh dhe rrezikun që incidente të tilla paraqesin për rendin publik dhe sigurinë e forcave të rendit.















