Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe ka vendosur dërgimin për gjykim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, deputetes Klotilda Bushka, si dhe një numri të madh individësh dhe subjektesh tregtare e organizatash jofitimprurëse.
Erion Veliaj akuzohet për disa vepra të rënda penale, përfshirë korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë, pastrim parash, fshehje dhe mosdeklarim pasurie, futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit, si dhe shpërdorim detyre. Akuzat lidhen me përfitime të parregullta nga shoqëri tregtare dhe organizata jofitimprurëse, të realizuara në bashkëpunim.
Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim, pastrim parash, fshehje të ardhurash dhe mosdeklarim pasurie, për veprime të kryera në dobi të disa subjekteve private dhe OJF-ve, përfshirë edhe organizatën “Harabel”.
Deputetja Klotilda Bushka është dërguar në gjyq për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndërsa të pandehur të tjerë, përfshirë individë dhe përfaqësues të bizneseve, akuzohen për korrupsion aktiv, pastrim parash, fshehje të ardhurash dhe deklarime të rreme.
Në listën e subjekteve dhe personave të dërguar në gjyq përfshihen, mes të tjerëve, shoqëritë “Fusha”, “Kontakt”, “Palushi”, “Agi Kons”, “Gerard-A”, “Rametal”, “Lani”, si dhe disa organizata si “BYL-A”, “Muza”, “Eventus”, “Frobolous” dhe “Harabel”.
GJKKO bën me dije se disa nga të pandehurit kanë kërkuar që çështja të shqyrtohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Fashikulli i gjykimit përmban të gjitha aktet e hetimit paraprak të kryer nga SPAK në kuadër të procedimit penal nr. 27 të vitit 2024.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 10.09.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Miratimin e kërkesës për dërgimin në gjyq të çështjes që i përket procedimit penal nr. 27 të vitit 2024, ndaj të pandehurve:
Erion Veliaj, Ajola Xoxa, Elman Abule, Shoqëria “RAMETAL” sh.p.k., Gentjan Sula, Shoqëria “AGI KONS” sh.p.k., Meriman Palushi, Shoqëria “PALUSHI” sh.p.k., Fatmir Bektashi, Shoqëria “KONTAKT” sh.p.k., Sokol Kryeziu, Shoqëria “GERARD – A” sh.p.k., Shkëlqim Fusha, Shoqëria “FUSHA” sh.p.k., Mirton Lika, Shoqëria “LANI” sh.p.k., Organizata Jofitimprurëse Qendra “HARABEL”, Ina Goxhaj, Organizata jofitimprurëse “BYL-A” (Balkan Youth Link Albania), Erald Simixhiu, Organizata jofitimprurëse Qendra “MUZA”, Linda Kazani, Organizata jofitimprurëse Qendra “EVENTUS”, Frosina Bollo, Organizata jofitimprurëse “FROBOLOUS”, Valmir Xoxa, Adela Kondaçiu, Klotilda Bushka, Flutur Xhani dhe Fatjon Baçi.”.
Në seancën e datës 09.02.2026 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, bazuar në nenet 75/a shkronjat “a” , “c” dhe “ç”, 332/dh pika 1, gërma “a”, 332/e, 332/ë, 332/gj dhe 13 pika 3 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 141 datë 09.02.2026, vendosi:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 27, të vitit 2024 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” – thuhet ndër të tjera në njoftim.



















